Historia e tij tregon se kur ke vullnet dhe punon fort, ëndrrat mund të të çojnë larg. Para 25 vitesh, si shumë të rinj të asaj kohe, ai u largua nga Novo Sella e Maqedonisë së Veriut drejt Italisë, me idenë për të punuar disa vite, për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më pas për t’u kthyer në vendlindje.
Por gjërat morën një tjetër drejtim.
Sot, pas 25 vitesh në Itali, ai është një nga njerëzit kryesorë që qëndron pas suksesit të një prej restoranteve tradicionale më të njohura në qendër të Romës. Prej 17 vitesh ai menaxhon restorantin legjendar “Er Faciolaro”, një vend me 102 vite histori, vetëm pak hapa larg Fontanës së famshme të Trevit.
I njohur për ushqimin cilësor, shërbimin e kujdesshëm dhe atmosferën mikpritëse, “Er Faciolaro” është bërë një ndalesë e preferuar për vizitorë nga e gjithë bota. Por për të, shqiptarët kanë gjithmonë një vend të veçantë.
“Mallin për shqiptarin nuk e shuaj dot kurrë. Kur shqiptarët vijnë në Romë, ata kanë gjithmonë një derë të hapur tek ne. Janë të mirëpritur si në shtëpinë e tyre”, thotë ai.
Edhe pse ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në kryeqytetin italian, ai mbetet i lidhur fort me vendlindjen. Madje, shpreson që një ditë të kthehet në Novo Sellë dhe të sjellë aty përvojën, mikpritjen dhe standardet që ka krijuar gjatë viteve në Romë.
Historia e tij është ajo e shumë sakrificave, punës dhe përkushtimit, por edhe një kujtesë se rrënjët nuk harrohen kurrë, pavarësisht se ku të çon jeta, u shpreh për @Zyrtare.net
Nga Novo Sella në një restorant historik në zemër të Romës, ai mbetet një shembull i mirë për të rinjtë shqiptarë që besojnë se me punë dhe këmbëngulje mund të arrijnë atë që synojnë.