Komuniteti shqiptar në Dandenong – Këshava ka mbajtur këtë të diel festivalin e përvitshëm të kulturës shqiptare. Ky festival është një ngjarje e gëzueshme kulturore, që u mundëson shqiptaro-australianëve në komunitetin lokal të Dandenong-ut por edhe në të gjithë Victoria-n, të takohen dhe të ri-lidhen me njëri tjetrin së bashku me familjet dhe fëmijët e tyre në hapësiren e dedikuar për festivalin.
Gjatë së dielës së festivalit komuniteti shqiptar pati rastin të festojë kulturën e tij, si dhe të argëtohet me këngë të ftuarit të këtij viti këngëtarit Mentor Haziri nga Kosova, grupeve muzikore të komunitetit lokal shqiptar, krahas stendave me ushqime të traditës shqiptare, dhe shpalosjes së kostumeve te larmishme kombëtare.
Është në natyrën dhe në të drejtën e komuniteteve multikulturore në Australi që të festojnë tradicionalisht elementet kryesore të kulturave të tyre, të cilat shpalosen në sfondin e jetës australiane të këtyre komuniteteve.