E premtja e datës 12 maj 2023 solli buzëqeshje në fytyrat e vogëlushëve, të cilët të lumtur e të gëzuar u ulën në bankat e klasës së hapur nga “Shkolla Shqipe” në Zvicër, në qytetin Effretikon. Gëzimi shihej qartë jo vetëm në fytyrën e nxënësve, por edhe të mësueses Alma Mico, e cila mundohej në mënyra të ndryshme t`ua bëjë sa më të lehtë orën mësimore në këtë ditë fillimi të mësimit të gjuhës amtare.
Një gëzim dhe një kënaqësi e veçantë shihej edhe në fytyrat e prindërve, duke i parë fëmijët e tyre në klasë, duke shfletuar abetaren e gjuhës shqipe, duke i dëgjuar fëmijët e tyre kur ata shqiptonin shkronjat e gjuhës sonë, natyrshëm kur lexonin fjalët shqipe.
Nxënësit Floriani, Ronisi, Ronesa, Albini, Ismajli, Amirja, Lina, Amina, Dorela, Ensari, Anuri, Almiri, të cilët erdhën në orën e parë, e shikonin mësuesen me një gëzim të veçantë, sepse për ta kishte filluar një ditë e re, një ditë ku ata do të mësonin edhe gjuhën shqipe. Po kështu edhe nxënësit të tjerë, të cilët do t`iu bashkëngjiten këtyre nxënësve që filluan mësimin më 12 maj, do t’i presim krahëhapur.