E mërkurë, datë 13 nëntor 2024, Shkolla Shqipe në Rorschach hap dyert edhe për fëmijët e qytetit Rorschach dhe Rorschaherberg, me qëllim që edhe ata, si bashkëmoshatarët e tyre të vijojnë me rregull mësimet në gjuhën amtare. Ky lajm jo vetëm që gëzoi fëmijët, të cilët kishin ardhur së bashku me prindërit e tyre për t`u regjistruar në shkollën shqipe, por edhe prindërit ndiheshin të lumtur se pas shumë viteve tani më edhe në këtë pjesë te Zvicrës, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Nxënësit Auloni, Eniani, Kiani, Enea, Amini, Medina, Riani, Inara, Tuana, Altina, të cilët erdhën në orën e parë dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në ditët në vazhdim apelojnë te të gjithë prindërit shqiptarë që edhe ata t`i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë shqipe sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta ruajmë gjuhën amtare te gjeneratat e reja.
Vlen të përmendet se nxënësit, e përjetuan këtë fillim të mësimit në gjuhën shqipe me një dashuri të veçantë sepse shumicën e fjalëve që i dëgjonin, i kishin dëgjuar edhe më herët, por jo në këtë mënyrë. Shkronjat e shqipes dhe veçanërisht bashkëtingëlloret jepnin një ndjenjë ndryshe te fëmijët. Pasiguria ndaj tyre dhe shpeshherë gabimet gjatë shqiptimit të fjalëve apo shkronjave e mbushnin klasën me plot gaz, kurse në anën tjetër mësuesja i motivonte ata, që shumë shpejt do t`i mësojnë, por nevojitet pak më tepër punë dhe kujdes. Shkolla shqipe Në Rorschach të Zvicrës mësueses dhe nxënësve ju dëshiron shumë suksese duke apeluar te të gjithë mërgimtarët në këtë rajon që fëmijët e tyre t`i dërgojnë në shkollën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkure nga ora 13:30 – 15:15 dhe grupi i dytë që pritet të organizohet nga ora 15:15 – 17:00. Për çdo paqartësi të interesuarit mund të paraqiten në telefonin kujdestar 076 321 26 94.
Suksese nxënës!