Ishte një festë e bukur dje!
Festat i bëjnë të bukura njerëzit e mirë, dhe komunitetit tonë aspak nuk i mungojnë të tillë. Përkundrazi, i kemi aq shumë në numër, e nga të gjitha anët.
Nga 1000 e kusur të pranishëm mbrëmë, gati secili na pyeti nëse duhej të na ndihmonte me diçka. Shumica e të pranishmive, përfshirë edhe një grua në moshë, ishte bashkë me ne deri nga fundi duke na ndihmuar ta pastrojmë sallën nga gjurmët e festës. Emrin nuk ia morëm vesht. Puna vullnetare kërkon zemër, na tha ajo, e jo emër.
Ju faleminderit!
Ne kemi edhe rininë më të bukur në botë!
Lehtësia me të cilën ata pranuan të vishen me veshje kombëtare, dhe krenaria me të cilën u paraqitën në valle, i bën këta njerëz të ri të duken akoma më të bukur. Buzëqeshjen nuk e hoqën nga fytyra, humorin e ndanin me shumë finesë pa ofenduar njeri, afërsinë me njërit tjetrin nuk e kursenin dhe, rrjedhimisht, fotot dolën më të bukura.
Ju, o rini Arbërore, jeni krenari për ne! Ju duam shumë! Faleminderit që jeni pjesë aktive e komunitetit tonë!
Ne kemi edhe fëmijët më të lezetshëm në botë!
Ata “milingonat” e vogla që shitnin libra mbrëmë, na dëshmuan se ne kemi një ardhmëri fantastike e cila do arrijë rezultate të mëdhaja në të ardhmen. Strategjinë dhe ekzekutimin e shitjes së librave e bënë vetë, llogarinë e bënë vetë me gishtat e tyre të vogël, por suksesin e festuan si të përbashkët.
Kur ta lexojnë këtë një ditë, duam ta dijnë se ne i duam shumë, dhe jemi pafundësisht krenarë që janë pjesë e komunitetit tonë.
Ne duam të vazhdojmë të merremi me lumturinë e cila, sipas nesh, përbëhet nga ato qindra përqafime, nga vargjet e gjata të valleve, nga bisedat e gjata dhe çmalljet me miqt nëpër koridor, nga fotot e bukura që do mbesin kujtim i përjetshëm dhe nga numri i madh i fëmijëve që lulëzon çdo arenë të aktiviteteve tona. Ne duam të vazhdojmë të mbetemi të pashkëputur nga rrënjët tona, dhe të mbesim të lidhur ngushtë me njëri tjetrin.