Në qytetin bregdetar të Selces u organizua me sukses shkolla verore, ku morën pjesë një numër i madh nxënësish nga mësimi plotësues në gjuhën shqipe në Prefekturën e Osijekut dhe Baranjës. Nxënësit shqiptarë u dalluan për nivelin e lartë të komunikimit dhe për angazhimin e tyre të palodhur në aktivitete të ndryshme edukativo-kulturore.
Në mënyrë të veçantë spikati Adea Qevani, e cila, për emisionin “Prizma” të Televizionit Shtetëror Kroat (HRT), dëshmoi një aftësi të jashtëzakonshme në komunikim dhe njohuri të thella në gjuhën kroate, duke përfaqësuar me dinjitet dhe krenari shkollën shqipe në diasporë. Po ashtu, Metin Imeri u veçua me një recitim të fuqishëm, ndërsa të gjithë nxënësit kontribuan në pasurimin e programit me këngë dhe valle shqiptare, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese për të gjithë të pranishmit.
Me këtë rast, falënderojmë përzemërsisht prof. Mendu Imerin për organizimin e shkëlqyer të këtij programi dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm në edukimin e gjeneratave të reja në diasporë. Falënderime të posaçme i drejtohen edhe Këshillit të Mësuesve të Kroacisë, të cilët me profesionalizëm dhe dashuri për punën arritën të realizojnë këtë program me sukses të plotë.
Bashkësia Kombëtare Shqiptare për Sllavoni dhe Baranjë mbetet e përkushtuar në mbështetjen e fëmijëve që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën amtare, duke e konsideruar këtë si një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor në diasporë.
Intervista me prof. Mendu Imerin në HRT
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, televizioni shtetëror kroat HRT zhvilloi një intervistë me mësuesin e njohur dhe të palodhur të diasporës shqiptare në Kroaci, prof. Mendu Imeri, e cila u transmetua në emisionin për pakicat kombëtare “Prizma”.
“Unë me nxënësit e mi vijmë nga Prefektura e Osijekut dhe Baranjës, ku mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet prej vitit 2012 me iniciativën e Bashkësisë Kombëtare Shqiptare për Sllavoni dhe Baranjë, në bashkëpunim me SHF Vijenac dhe SHF Svete Ane në Osijek, si dhe SHF Ivan Goran Kovačić në Đakovë. Gjatë gjithë këtyre viteve kemi pasur mbështetje të vazhdueshme për realizimin e programeve edukativo-kulturore, si dhe për sigurimin e veshjeve kombëtare që nxënësit i kanë veshur sot”, – deklaroi Imeri për HRT.
Ai shtoi më tej se shkolla verore ofron një mundësi të vlefshme për fëmijët që të forcojnë aftësitë gjuhësore në gjuhën shqipe dhe të thellojnë njohuritë mbi kulturën, historinë dhe traditat shqiptare, në një ambient miqësor dhe nxitës.
“Përveç rëndësisë arsimore, shkolla verore ndihmon në forcimin e lidhjeve midis nxënësve shqiptarë nga pjesë të ndryshme të Kroacisë, duke rritur ndjenjën e përkatësisë dhe duke kontribuar në ndërtimin e vetëbesimit dhe identitetit të tyre personal. Si mësues i gjuhës dhe kulturës shqipe, me krenari theksoj se programe të tilla janë thelbësore për ruajtjen e shumëllojshmërisë gjuhësore dhe për forcimin e dialogut ndërkulturor në shoqërinë kroate”, – përfundoi Imeri.