Shoqata Adriatiku
Firence ka shkollën e vet shqip në këto 35 vjet emigracion shqiptar, ku gjuha shqipe mësohet falas për të gjithë fëmijët 5-15 vjeç. Shoqata kulturore shqiptare “Adriatiku”, e krijuar rishtas në Firence dhe e shtrirë në të gjithë Toskanën hapi shkollën shqipe në qytetin e kulturës e humanizmit. Në Firence, numri i shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nënshtetas italianë apo rezidentë, është i konsiderueshëm në raport me popullsinë vendase. Siç është kontributi i tyre në jetën e qytetit dhe përditshmërinë e tij.
Shtatë mësuese të shqipes, me përvojë në mësimdhënie në Shqipëri e Itali, zhvillojnë mësimin e gjuhës e kulturës shqipe me fëmijët me origjinë shqiptare të lindur në Itali, që duan të njihen me gjuhën e prejardhjes e jo vetëm, si element identitar e pasurues i dimensionit të tyre si nënshtetas a rezidentë italianë. Njohja dhe shkëmbimi i mendësive në një Firence të hapur multikulturore është një nga qëllimet e shoqatës dhe ky hap i parë i krijimit të shkollës shqipe, si bërthamë e qendrës së gjuhës e kulturës shqipe nesër, është i rëndësishëm.
Ditën e parë të shkollës, e cila ndodhet pranë Circolo SMS Rifredi, me praninë e 25 fëmijëve të parë të regjistruar dhe një numri të konsiderueshëm të bashkësisë shqiptare në Firence, institucionet italiane u përfaqësuan nga drejtuesja e Bashkisë Firence mbi cështjet e të Rinjve e Traditave Popullore, znj. Letizia Perini, sekretari i përgjithshëm i CGIL, z. Bernardo Marasco, Presidenti i Disktriktit 5, z. Filippo Ferraro, zv/Presidenti, z. Franco Muzzi dhe këshilltarja e aktivistja, znj. Senka Majda.
Presidenti i shoqatës “Adriatiku” z. Naim Doda, hapi takimin duke uruar mirëseardhjen prindërve të shumtë e përfaqësuesve të tjerë të komunitetit e institucioneve dhe u shpreh optimist për këtë fillim e për hapat e tjerë që do të ndërmerren, për të cilët po punohet e bashkëveprohet në vijimësi me institucionet shqiptare e italiane.
Znj. Ardita Repishti, koordinatore e shkollës shqipe “Jeronim de Rada” e njëherësh mësuese, prezantoi hapat e bërë për këtë qëllim, në bashkëpunim me bashkësinë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut në Itali e atdhe, objektivat për rritjen e shkollës e konsolidimin e saj, duke u mbështetur në punën profesionale të gjashtë mësueseve të gjuhës shqipe, Tonine Maçaj, Dafina Shima, Saimire Kopshti, Filloreta Alltari, Denisa Nine e Etleva Gjinaj.
Znj. Senka Majda, bashkëpunëtore e hershme e shoqatës dhe komunitetit shqiptar në Firence, sa i takon përfaqësimit institucional, solli përshëndetjet e drejtueses së Arsimit të Bashkisë Firence, znj. Benedetta Albanese, e cila siguroi mbështetje për mësimin e gjuhës shqipe. Nga ana e vet, znj. Majda, e angazhuar në çështje të dinjitetit të qytetarëve në një Itali multikulturore, prezantoi lëvizjet e radhës për konsolidimin e veprimtarive të komunitetit me institucionet.
- Bernardo Marasco, Sekretar i Përgjithshëm i CGIL në Firence, u shpreh i nderuar për pjesëmarrjen në një aktivitet të tillë, me përfaqësi të zgjeruar të shqiptarëve në Itali, si kontribues të qenësishëm të jetën ekonomike, sociale e kulturore të vendit dhe ftoi për aktivizëm sa u takon çështjeve parësore të lidhura me fatet e emigrantëve në Itali.
- Filippo Ferraro, President i Distriktit 5 falënderoi për një organizim të tillë dhe premtoi hapësira e mbështetje të strukturave për shqiptarët në Itali. Aktivitetet e radhës të lidhura me uljen e viteve për marrjen e nështetësisë dhe gëzimit të të drejtave të plota të rezidentëve, si qytetarë italianë ishin një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së tij.
- Franco Muzzi, nënpresident i Distriktit 5, përgëzoi për hapin e rëndësishëm të bërë dhe premtoi mbështetje për më tej.
Premtime të rëndësishme për zgjerimin e shkollës shqipe në Firence, me filiale në të gjitha distriktet, me mjedise të përshtatshme për fëmijët e të rinjtë në institute vendore në qytet, apo ambiente shkollore, u artikuluan nga drejtuesja e Sporteve, Politikave për të Rinjtë dhe Traditat Popullore e Bashkisë së Firences, znj. Letizia Perini. Znj. Perini u shpreh entuziaste për organizimin dhe e gatshme të bashkëpunojë me komuntitetin shqiptar në Firence për konsolidimin e mësimit të shqipes për shqiptaro-italianët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut.
Sfida e shkollës shqipe “Jeronim de Rada” është në hapat e parë, por sigurisht mbështetet në vullnetin e mirë të të gjithë atyre që e duan dhe punojnë për të, duke nisur nga themeluesit e shoqatës e anëtarë të saj, z. Naim Doda, z. Artan Bakiasi, z. Ledjon Kalivaçi, z. Myrteza Minxhaj, z. Fatos Kapo, z. Selman Meziu, znj. Ardita Repishti, znj. Filloreta Alltari, z. Sokol Gjergji, z. Korab Zhuja, z. Zef Zefi, z. Sokol Gjergji, z. Altin Vero, z. Mario Uci, z. Valon Kabashi e z. Erzen Mazreku, nga shumë dashamirës e mbështetës të saj.
Shoqata kulturore “Adriatiku”, me përfaqësues të Shqipërisë, Kosovës, arbëreshë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, – veç mësimit të gjuhës dhe njohjen me kulturën e zakonet shqiptare në realitetin multikulturor të Firences.