Në Kërçovë u mbajtë Festivali i 9-të “Dita Jonë”

0
16

Në organizim të shoqatës “Kult”, mbrëmë në kalanë e vjetër të Kërçovës u mbajtë festivali i 9-të i këngëve për fëmijë dhe të rinjë “Dita jonë”.

E veçanta e këtij manifestimi që u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Kërçovës, sivjet ishin fëmijët e diasporës dhe ata të kopshtit të fëmijëve “Dallëndyshja” të Kërçovës.

Ndryshe nga herat tjera, festivali “Dita jonë” kësaj radhe, u mbajtë në ambientet e hapura të kalasë së vjetër të Kërçovës dhe solli një program të ngjeshur që shoqata “Kult” kësaj radhe ia dedikoi pjesës më krenare të kombit, mërgimtarëve tanë që aktualisht ndodhen për pushime në vendlindje.

Të pranishmit, fillimisht i përshëndeti Kryetari i komunës Fatmir Dehari, i cili i përgëzoi solistët e vegjël dhe organizatorin e këtij festivali për rrugëtimin e suksesshëm nëntë vjeçar, që lidhet edhe me fillimin e qeverisjes së tij me komunën e Kërçovës.

Programi filloi me interpretimet e bukura të Korit të fëmijëve “OKARINA” nga Prishtina të udhëhequr nga profesoresha Elikona Hysaj, ndërsa më pas u prezentua ansambli i fëmijëve “ANA MORAVA” nga Vitia.

Pjesë e këtij programi ishin edhe fëmijët nga diaspora, djaloshi nga Amerika, Riad Leka Gjaferri dhe vajza kërçovare që jeton në Zvicër, Elira Dalipi e cila prezentoi dy këngët e saja, “Një biletë” dhe Per atdheun dedikim”, me të cilat ajo ka fituar edhe çmime të para në këtë festival.

Ky program u begatua me interpretimet e solistëve Vullnet Beshiri, Alba Zendeli dhe Marigona Xhambazi, ndërsa befasia e këtij festivali ishin fëmijët e kopshtit të Kërçovës “Dallëndyshja”, të cilët sollën në skenë verzionin e ri të këngës “Kërçovari”. (TVM2)