Shfaqja “Një jetë në teatër” e tre ikonave të artit shqiptar, erdhi premierë në Gostivar

0
27

Tre ikona të artit shqiptar, që gjithë jetën ia dedikuan teatrit, u bënë bashkë për të sjellur një shfaqe në Gostivar , duke luajtur rolet e tyre që dikur i kishin patur si “pengje”. Ëndërra e tyre me në fund u realizua me shfaqen “Një jetë në teatër”, që erdhi premierë për publikun gostivaras. Në bashkëpunim me Teatrin e Gostivarit , aktoret Drita Begolli, Kumrije Hoxha dhe Nexhmije Selca, sollën rrëfime ndryshe për publikun.

Kumrije Hoxha, aktore e cila në këtë shfaqe e solli rolin e plakës Nicë nga Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, e dekoruar me çmimin kombëtar për vepër jetësore, thotë se aktorët nuk plaken kurrë, ndaj shprehet e gatshme ti jap edhe shume emocione të tjera publiku shqiptar.

“Kam filluar në moshën 18 vjeçe, e kam dashur shumë artin. Në fillim kam qenë në balet, pastaj kam kaluar në dramë dhe profesorin e parë e kam pasur Faruk Begollin. Rolet e mija kanë qenë të shumta dhe kam marrë edhe çmimin kombëtarë për vepër jetësore. Me rolet e mija do të vazhdojë të jem në skenë, pasi ne aktorët nuk pensionohemi kurrë, deri në vdekje do të jem në skenë”.

Profesoresh Nexhmije Selca, themeluese e baletit në Kosovë, në shfaqe erdhi si balerinë dhe aktore njëkohësisht. Ajo i tha televizionit Globi se drama dhe baleti janë dy dashuritë e jetës së saj që kanë filluar të jetojnë me të që në moshën 13 vjeçare.

“Karriera ime ka filluar shumë herët dhe kam harruar kur ishte, kanë kaluar shumë vite. Si një vajzë shumë e re 13 vjeçare kam ardhur në Shkup dhe jam regjistruar në shkollën e baletit. Kam vazhduar me baletin, por në të njejtën kohë jam edukuar me ansamblin e dramës ku kam marrë mbështetje nga aktorë shumë të mëdhenjë dhe kam ndihmuar pasi ndoshta atëherë nuk kishte aktor më të ri. Kemi qenë me kolegen Kumrije Hoxha, Dritra Begolli dhe shumë të tjerë që tani janë të ndjerë. Nuk mund t’i ndajë dy dashuritë mes baletit dhe dramës”.

Regjisorja e kësaj shfaqe, Drita Begolli e cila është regjisore teatri dhe pedagoge në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, sivjet kremtonte katër dekada punë në teatër. Thotë se shfaqa “Një jetë në teatër” sjellë në skenë mrekullitë që kanë përjetuar ato ndër vite.

“Gjithmonë ndjehem e privilegjuar kur jam në mesin e popullit tim, në veçanti në Maqedoni. Shfaqja shkoi mirë, publiku ishte i mrekullueshëm. Edhe mbrëmë e kisha një shfaqe në Teatrin Shqiptar në Shkup, edhe atje jashtëzakonisht mirë kemi kaluar. Sonte si premierë ishte kënaqësi e veçantë pasi unë isha bashkë me koleget e mija dhe këtë vit festojë 40 vjetorin e punës sime në teatër, ndërsa kolegia Kumrije Hoxha sivjet është laureate për çmimin për vepër jetësore, kurse profesoresha Nexhmije Selca është themeluese e baletit në Kosovë. Në mesin tonë është edhe një vajzë e re e cila tani është absolvente e koreografisë e cila synon në të ardhmen ta studiojë regjinë e teatrit. Prandaj, ne së bashku e kemi punuar këtë shfaqe e cila sjellë shumë mrekulli në vite. Rolët të cilët i kanë pasur peng e nuk kanë pasur mundësi t’i punuar, ju kanë lënë mbresa gjatë karierrës së tyre dhe të cilat synojnë në të ardhmen t’i punojnë. Besojë se kjo shfaqe u ka lënë mbresa publikut”.

Bashkë me aktoren Hoxha dhe balerinën Selca në skenë u ngjit edhe Elisa Zeneli, ndërsa skenografia dhe kostumi i ishin besuar Jeta Duli Bajrami, asistent të regjisë kanë qenë Krenare Berisha dhe Arlind Jakupi. Mevludin Berisha ishte kosulent dramaturgjik i shfaqes “Një jetë në teatër”.