Përurohet libri i Stipqeviçit “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës”

0
37

Shkup, 17 maj 2022 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, vazhdojnë realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të strategjisë së re për qasje në zhvillimin e shkencave albanologjike. Sot tri qendrat tona albanologjike, përuruan librin e fundit të ilirologut të njohur Aleksandar Stipqeviç “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.

Akademik Stipqeviç në vitin 2011 botoi veprën monumentale “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa”, një kontribut i madh shkencor për arbëreshët e Zarës së Kroacisë. Libri u përkthye nga kroatishtja në gjuhën shqipe nga Sadri Fetiu, dhe u botua në vitin 2012 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ky botim zgjoi interesimin e madh të lexuesve dhe të studiuesve të shumë qendrave shkencore, dhe si rezultat i këtij interesimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, libri u promovua edhe në Shkup.

Fjalë përshëndetëse në fillim pati Skender Asani, drejtor i ITShKSh – Shkup, i cili foli lidhur me konkretizimin e bashkëpunimit me aktivitete konkrete ndërmjet tre instituteve, por edhe për rëndësinë e prezantimit në Shkup të kësaj vepre të ilirologut të njohur Stipçeviq, i cili ka dhënë kontribut të çmuar edhe në ruajtjen e gjurmëve të qytetërimit iliro-arbëror të Shkupit.

Manifestimin e përshëndeti edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.

Më tej para të pranishmëve foli Luan Përzhita, arkeolog dhe studiues, drejtor i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, i cili referoi në temën: “Monumente iliro-arberore nga vendlindja e Stipceviqit (në rajonin Krajë-Tivar). Ndërsa, Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, foli si botues, por njëkohësisht si studiues i spikatur, duke iu qasur temës: “Modeli stipqeviçian i studimit të trashëgimisë sonë”.

Në fund, Zeqirja Neziri, studiues i njohur dhe profesor shumëvjeçar i letërsisë në Universitetin e Shkupit, bashkëpunëtor i ilirologut Stipqeviç, foli për veprimtarinë e gjatë studimore të akademik Stipqeviçit, dhe në veçanti për librin “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.