Bardhyl Reçani nga Gostivari, shqiptari i parë me klinikë stomatologjike kirurgjikale në Zvicër

0
88

Bardhyl Reçani ka rreth 20 vite në emigrim. Ai është larguar nga Gostivari në fillim të këtij mileniumi, periudhë e mbrapshtë sidomos për shqiptarët në Maqedoni. Me profesion stomatolog, fillimisht has në telashe me studimet pasi koha kur ai fillon rrugëtimin e tij në këtë profesion, fillon shpërbërja e ish Jugosllavisë dhe për shkak të atyre zhvillimeve ballafaqohet me pengesa gjatë studimeve. Nuk heq dorë kurrë, arrinë të diplomohet, por e ndjenë veten të pa kompletuar dhe në kërkim të dijes, e hedh hapin e dytë duke migruar në Gjermani. Pas karrierës dhe sukseseve atje, shtatë vitet e fundit, 54 vjeçari nga Gostivari, është duke jetuar dhe punuar në Zvicër. Ai në këtë shtet posedon klinikën e tij stomatologjike “ZH-Zahnklinik” e cila është e vendosur në Schlieren në Cyrih. Ajo posedon 6 dhoma shërimi, salla operacionesh dhe hapësira të tjera. Gjithashtu ka edhe laboratorin teknik, ku dhëmbët dhe protezat prodhohen në të njëjtën hapësirë. Klinika ofron të gjitha shërbimet stomatologjike, si për të rritur, ashtu dhe për fëmijë.

Dr. Reçani e nis bisedën duke na treguar nga vështirësit e deri te realizimi i ëndrrës. “Faleminderit edhe juve që ndatë kohë për të ardhur këtu të na vizitoni. De fakto jo vetëm mua, por për të gjithë bashkëatdhetarët tanë. Bardhyl Reçani është nga Maqedoni, konkretisht i lindur në fshatin Reçan, rrethina e Gostivarit. Shkollën fillore dhe të mesme e kam kryera në Gostivar. Pastaj, fakultetin një pjesë e kam kryer në Sarajevë dhe për shkak të trazirave në atë kohë kur luftrat e kapluan ish Jugosllavinë, isha i detyruar të kthehem në vendlindje dhe fakultetin ta vazhdojë në Shkup. Pasi kam kryer studimet në Shkup, ideja dhe dëshira ime e madhe që vazhdimësinë në shkencën e medicinës për t’u njohur më thellë, ishte ta vazhdojë diku jashtë, edhe atë, pikësynimi ishte Gjermania. Në atë kohë të viteve të 90-ta , ishte shumë e vështirë të depërtosh dhe t’i thyesh ato barriera që i kishin vendosur ish shtetet e ish Jugosllavisë. Unë ato barriera arrita t’i thejë dhe në vitin 2001 u regjistrova në Gjermani për të vazhduar specializimin në Degën e Stomatologjisë, konkretisht për Kirurgjinë Orale dhe Miksiofaciale.

Pas mbarimit të specializimit dyert u hapën edhe më shumë, fillova të gradohem, të bëjë hulumtime shkencore dhe të vazhdojë punën time në Gjermani. Disa vite isha edhe si kryesues – mjek në disa klinika universitare në Gjermani, së pari në Mynih, pastaj në Marburg, në Koln dhe përsëri u ktheva në Mynih. Ato ishin diku 10 vite të mira të cilat unë ia kushtova shkencës dhe rrugëtimi im vazhdon edhe më tej. Dikur ishte edhe ideja dhe dëshira e familjes sime që të kthehem në vendlindje, kështuqë dëshirën që familja ime e kishte për shumë vite, u orvatëm dhe tentuam që investime të bëjmë edhe në Maqedoni, por ai investim nuk na doli siç duhet dhe përsëri kërkuam rrugëdalje tjetër të cilën unë e vazhdova dhe do të më kënaqte shkenca e stomatologjisë.

Destinacioni tjetër i cili erdhi si një lloj rastësie ishte Zvicra, kështu që këtu në Zvicër jemi gati shtatë vite, d.m.th para shtatë viteve emrigruam prapë në Zvicër”, tregon doktor Bardhyl Reçani. Ndërsa ka arritur ta kompletojë të gjithë infrastrukturën me të gjitha pajisjet dhe aparatet më moderne, siç është edhe aparati Rentgen në 3D shumë i rëndësishëm në Stomatolgji, mjeku i parë shqiptar me klinikë stomatologjike kirurgjikale në Zvicër, thekson se do të vazhdojë ta zhvilloj biznesin e tij edhe më shumë. “E kam thënë një fjalë gjithmonë dhe do ta them përsëri, se: ‘në këtë botë çdo gjë është e mundshme, nuk ka gjë që nuk mund të arrihet. Nëse ka vullnet të mirë dhe përshembull nëse dikush ka qëllim diçka të arrijë edhe do t’ia arrijë’. Edhe unë e kisha një qëllim që të arrijë diçka në këtë pjesë dhe të kem një jetë të mirë dhe të merrem me shkencë këtu në Zvicër. Sistemi i Zvicrës për dallim me sistemet tjera shëndetësore sikurse Gjermani, ofron një trajtim në stomatologji dhe në përgjithësi në mjekësi shumë më tepër sesa vendet e tjera. Mu për këtë, unë këtu kam investuar siç e patë edhe vetë, dhe mendoj që edhe më tej ta zhvillojë këtë degë”, deklaron mjeku Bardhyl Reçani.

“ZH-Zahnklinik”, e vendosur në një hapësirë prej 400m2, ofron shërbime specialistike, siç janë ato të kirurgjisë orale dhe maksillofaciale, shërbime implantologjike dhe protetike, shërbime ortodontike dhe pedodonci të fëmijëve, shërbime konservative, endodontike dhe estetike, etj. “Ne jemi një klinikë shumë e përsosur me pajisje më të reja teknologjike të cilat ekzistojnë për momentin në stomatologji dhe në përgjithësi në mjekësi. Ne jemi një ndër ata qè kemi pajisje shumë të sofistikuara të cilat neve na mundësojnë diagnostifikimin e shumë sëmundjeve për sa i përket sistemit të gojës, fytyrës dhe nofullave, dhe jemi një ndër të parët këtu në rrethin e Cyrihut që kemi inevstuar në atë drejtim. Sa i përket çështjeve, trajtimeve të ndryshme somatologjike, ne i forojmë të gjitha trajtimet të cilat janë në kuadër të pjesës sonë të stomatologjisë, duke u nisur nga preventiva ose stomatologjia e fëmijëve, pjesa konservative, protetike dhe së fundmi jemi të specializuar për kirurgji orale dhe kirurgji maksiofaciale të cilat për momentin nuk mund çdo klinikë apo ordinanca të thjeshta t’i forojnë këto shërbime. Prandaj jemi dhe do të vazhdojmë të jemi një nga ata të cilët do të jemi ‘top klinikë’ të cilën e patë edhe vetë”, deklaron më tej mjeku Bardhyl Reçani.

Vetë nisi nga zeroja, por ai u lë një trashigimi të madhe fëmijëve të tij. Reçani pjesërisht i ka të angazhuar edhe fëmijët e vetë në klinikë, ndërsa pasuria dhe suksesi më i madh për të do të ishte dita kur do të fillojë të ofrojë shërbime në gjuhën shqipe për bashkatdhetarët e tij në Zvicër. “Koha kalon dhe çdo njeri plaket, kështu që një ditë ne duhet të rinjëve t’ua japim ta trashëgojnë këtë. Mendoj se fëmijët e mijë të cilët janë të inkuadruar pjesërisht në klinikën time, ta vazhdojë këtë rrugëtim dhe këtë biznes i cili është investuar dhe ka investime shumë të mëdha. Mendoj familja dhe fëmijët e mijë ta vazhdojnë këtë biznes, por kur të vine koha, ndoshta do të pensionohem për dhjetë vite e ardhshme dhe dëshirojë që ky biznes, medicina apo stomatologjia të zhvillohen edhe më shumë. Dua të them se ky vend këtu do të jetë edhe një pikë për të gjithë bashkëatdhetarët tanë të cilë janë dhe jetojnë këtu, veprojnë në Zvicër, janë të informuar dhe unë dëshirojë ata të jenë pjesë e kësaj klinike dhe të ju ofrojmë atyre shërbime edhe në gjuhën shqipe”, deklarin Bardhyl Re#ani, mjek stomatolog.

Lidhjet me vendlindjen i ka shumë të forta. Megjithatë, nuk e mendon kthimin ose ndonjë investim, pasi një herë e kishte provuar dhe nuk i kishte dalë ashtu siç kishte pritur. Politika, thotë mjeku Reçani, është ajo që frenon çdo mërgimtar të vijë dhe të investojë në vendlindje. “Dëshira e madhe për vendlindjen është gjithmonë e flaktë. Ne i kemi lidhjet me vendlindje, aty kemi lind dhe mendojmë se aty duhet të vdesim. Raportet sa i takon për ndonjë biznes, për momentin nuk është e mundshme pasi medoj se vendi ynë është i kapluar më së shumti me probleme politike dhe ekonomia është shumë e ulët, është rrezik i madh për momentin atje të investosh. Jo vetëm në profesionin tim, por unë e shoh në përgjithësi, ndoshta për dikë është ‘ok’, por për mua, nuk besoj se do të investojë, por gjithmonë opsionet janë të hapura. Pse jo bashkëpunim apo ndonjë formë tjetër, për bashkëpunime jam gjithmonë i hapur”, sqaron mjeku Reçani.

Cilat kanë qenë sfidat që ka sjellur pandemia dhe si ka mbijetuar me klinikën e tij mjeku Reçani? Sqaron se ka qenë shumë e vështirë, por pasi profesioni i tij kërkon gjithmonë të jeshë në shërbim të klinetit, gjegjësisht pacientëve, pas disa muajsh bllokim, i rikthehet punës. “Natyrisht se pandemia si në të gjithë botën të cilën e kaploi edhe neve na preku shumë thellë. Fillimi ishte shumë i vështirë shkaku se nuk kishim dituri se për çka bëhet fjalë, të njohurat ishin shumë të pakta dhe si në çdo vend në botë edhe ne këtu u mbyllëm për disa muaj derisa qarqet dhe ligj-dhënësit, na rekomanduam të vazhdojmë punën më tutje. Edhe pse u bllokuam në fillim, vazhduam shumë shpejtë për shkak se dhimbja nuk pyet a kemi ose jo pandemi. Pacientët që ishin me dhimbje ne patjetër duheshte ti kurojmë, kështu që ligj-dhënësi na dha leje të vazhdojmë me punë. Por, gjithëssesi mund të them se pandemia na fundosi shumë. Do ta isha shumë i lumtur që ne pikësëpari të dalim mbi ujë dhe të notojmë në pjesën tjetër dhe mendoj se do t’ia dalim”, deklaron mjeku Reçani.

 

E mbyllim bisedën me mesazhin e bukur të dr.Reçanit. “Shqiptarë, të gjithë bashkohuni! Ky do të ishte mesazhi im, mendoj me ide dhe bashkëpunim”. Dr. Bardhyl Reçani do të mbahet mend në Zvicër si shqiptari i rrallë që ka hapur klinikën e parë në fushën e stomatologjisë dhe e para si klinikë kirurgjikale, gjë e cila e bën jo vetëm atë krenarë por gjithësecilin prej nesh. Ai sot ka tetë të punësuar dhe të angazhuar në klinikë thuajse gjithë familjen e tij.

Video e emisionit në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=zdLpnPE8ni8&t=1639s

tvglobi.mk