SHBA dhuron 593 kamera për policët e MPB-së

0
268

Shkup, 3 shkurt – Në ambientet e Njësisë Mobile për Siguri të Komunikacionit Rrugor në Petrovec sot u shënua përmbyllja e projektit “Sistem mobil për regjistrim me kamera” për nëpunësit e policisë që kryejnë kontroll dhe rregullim të komunikacionit.

Projekti paraqet donacion me një vlerë prej 1.061.000 dollarë amerikanë, projekt i programit ICITAP të Departamentit të Drejtësisë së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dedikuar për Njësitë për Komunikacion dhe Njësitit për Çështje Kufitare. Programi mbështet një pilot projekt për kamera mobilë të Njësitit Mobil për Siguri të Komunikacionit Rrugor në vitin 2016, që ishte hera e parë që nëpunësit e policisë së shtetit të pajisen me kamera mobilë në vendin e punës.

“Vënia në përdorim të kamerave mobilë pati efekt pozitiv në marrëdhëniet mes policisë së komunikacionit dhe qytetarëve të ndaluar për kundërvajtje rrugore. Numri i ankesave të parashtruara kundër nëpunësve të policisë ishte ulur dukshëm dhe anketa elektronike e zbatuar në vitin 2021 tregoi një nivel më të lartë të satisfaksionit edhe te të dyja palët – nëpunësve të policisë dhe qytetarëve”, tha ushtruesi i detyrës në Ambasadën e SHBA-së në shtet Erik Majer.

Ai ndau se sivjet, përmes ICITAP, mbështetja u zgjerua për sektorët për punë të brendshme në Tetovë, Ohër, Kumanovë, Shkup, Veles, Manastir, Shtip dhe Strumicë, si dhe për Departamentin për Çështje Kufitare dhe Migrim me donimin e 593 kamerave. Kamerat mobile, siç tha, tashmë janë vendosur në funksion këtu në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Ohër, në pesë pika kufitare si dhe në Njësitin Mobil për Masa Kompensuese, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të fillojë përdorimi edhe në qytetet e tjera.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi se është krenar që relativisht në një interval të shkurtër kohor kanë arritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme të realizojnë shumë projekte dhe detyra reformuese, siç tha, të sinkronizuara me nevojat reale të policisë, të të gjitha njësive, ndërsa gjithnjë me një synim rritje të ndjeshme të kapaciteteve materiale-teknike dhe profesionale për punët e ministrisë. ashtu edhe harmonizimin dhe standardizimin me kriteret ekzistuese euro-atlantike për punën dhe funksionimin e policisë.

“Bëhet fjalë për një projekt që ka vend thelbësor në planin strategjik të Byrosë për Siguri Publike pranë MPB-së në pjesën e komunikacionit, gjegjësisht çështjeve rrugore implementimi i të cilit mbështetet dhe në mënyrë normative përmes Ligjit për polici dhe në mënyrë operative përmes procedurave standarde operative ekzistuese për punë që sjell përfitim që shumë ka rëndësi edhe për ne si polici edhe për qytetarët si pjesëmarrës në komunikacion. Në fakt, me sistemin mobil për regjistrim jo vetëm që do të fitohet në cilësi dhe dokumentim të kundërvajtjeve, por njëkohësisht përmirësohet cilësia e veprimit të policisë, profesionalitetit dhe transparencës së saj”, tha Spasovski.

Ai shtoi se pritjet janë plotësisht reale për përballje të mëtejshme më efikase me të gjitha sfidat në fushën e sigurisë në komunikacion./ zhurnal.mk