Profili shkencor e letrar i Anton Nikë Berishës në “Ditët e Alfabetit”

0
66

Shkup, 19 nëntor 2021 – Personaliteti shkencor, arsimor dhe letrar i Anton Nikë Berishes, ishte tema e sesionit të sotëm shkencor të manifestimit “Ditët e Alfabetit”, zhvilluar në ambientet e Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila është edhe mbështetëse e këtyre aktiviteteve.

Drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, në fjalën e tij tha se ndjehet i gëzuar që emri dhe vepra e prof. Berishës po bëhen shkas i punës sonë në kuadër të sesionit mbi gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e arbëreshëve të Italisë. “Me prof. Berishën na bashkon ideali për të nxjerr nga harresa vlerat tona shpirtërore, siç është edhe rasti me arbëreshët e Italisë. Ky angazhim yni është kambanë alarmi për institucionet tona për një mobilizim më të madh në rikthimin e vëmendjes ndaj botës arbëreshe”, u shpreh Asani.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela, tha se institucioni që ai drejton po ndjekin rregullisht këto aktivitete kulturore – shkencore, dhe natyrisht se edhe ky i sotmi që i kushtohet studiuesit të njohur Anton Nikë Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për të hedhur dritë mbi figurën e këtij studiuesi që është marrë në mënyrë të veçantë me letërsinë dhe kulturën arbëreshe.

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, manifestimin e përshëndeti zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani.

Më tej, në pjesën shkencore, studiuesi arbëresh Françesko Altimari nga Universiteti i Kalabrisë në Kozencë të Italisë, përmes një video-prezantimi u paraqit me kumtesën: “Kontributi i Anton Nikë Berishës në studimin e letërsisë së arbëreshëve të Italisë”. Studiuesi dhe shkrimtari nga Shqipëria Bardhosh Gaçe, referoi në temën: “Anton Nikë Berisha dhe studimet e tij për letërsinë gojore arbëreshe”, shkrimtari nga Kosova Prend Buzhala pati temën: “Anton Nikë Berisha njohës dhe studiues i mirëfilltë i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, dhe Emin Azemi nga ITShKSh me temën: “Profili shkencor e krijues i Anton Nikë Berishës”.

Krejt në fund, vetë Anton Nikë Berisha falënderoi Institutin dhe udhëheqjen e tij për nderimin e bërë, jo vetëm ndaj tij, por në përgjithësi ndaj kulturës dhe kauzës arbëreshe, e cila nga dita në ditë fatkeqësisht po zvetënohet.

Në manifestimin “Ditët e Alfabetit -2021”, gjatë ditës së nesërme (e shtunë), do të shtjellohet tema e këngëve, valleve dhe në përgjithësi muzikës arbëreshe.