Në Muzeun e Alfabetit bartet “kauza arbëreshe për shqipen”

0
48

Manastir, 21 nëntor 2021 –  Sot në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, u zhvillua aktiviteti i parafundit në kuadër të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

“Kauza arbëreshe për gjuhën shqipe dhe albanologjinë”, ishte tema ndërlidhëse e ditës së sotme, ku bashkë me vlerësimin e punës kolosale të arbëreshëve për gjuhën e bukur shqipe, u theksua edhe nevoja që ky komunitet të vlerësohet dhe përkrahet në përpjekjet titanike për ruajtjen e gjuhës dhe traditës së lashtë arbëreshe.

Me këtë rast, para të pranishmëve folën: drejtori i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir – Zait Aliu, drejtori i ITShKSh në Shkup – Skender Asani, drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës Shqipe – Ylber Sela, kryeredaktori i edicionit ‘Ditët e Alfabetit’ në ITShKSh – Sevdail Demiri, dhe studiuesi Niko Kotherja.

Arbëreshët historikisht janë pikë e fortë e orientimit properëndimor dhe proevropian të kombit shqiptar, ndërsa gjuhën dhe traditën e tyre të lashtë, e kanë ruajtur e kultivuar edhe falë mendjendriturve të kombit, të cilët sot e 113 vjet më parë, pikërisht në Manastir përcaktuan dhe unifikuan shkronjat shqipe me bazament latin.

Aktiviteti i fundit i manifestimit të sivjetmë “Ditët e Alfabetit – 2021”, zhvillohet nesër (e hënë, më 22 nëntor) në ITShKSh – Shkup, kur solemnisht do të shënohet 113-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe 14-vjetori i ITShKSh, me praninë edhe të ambasadorëve të vendeve mike.

Manifestimi mbështetet nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.