Liderët e Rinj shqiptarë në Kanada

0
29

Shoqata e Eksekencës Shqiptaro- Kanadeze (Albanian- Canadian Excellence Society – ACE Society) që vepron prej disa vitesh në Toronto të Kanadasë, dhe që gjatë pandemisë ka organizuar edhe disa diskutime online me figura të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Kanada, së shpejti organizon edhe një panel të ri.

Diskutimi “Një Bisedë me Liderë të Rinj” do të organizohet përmes platformës “Zoom” me 24 qershor të këtij viti në orën 19:30 në kohën e Torontos. Organizatori dhe moderatori i kësaj ngjarjeje është Grejdi Meta, i cili është anëtar i Bordit të ACE-së që nga tetori i vitit 2020. Grejdi është student i Ekonomisë dhe Financave në Shkollën e Menaxhimit “Ted Rogers” tek Ryerson University në Toronto. Ai aktualisht punon si një analist praktikant në CPP Investments. Para se të bashkohej me CPP, Grejdi ka punuar si analist i Thesarit në Planin e Pensionit të Mësuesve të Ontarios, në të njëjtën kohë duke qenë vullnetar në organizatën e njohur bamirëse kanadeze “United Way”.  Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare” z. Meta thekson se “Paneli “Nje Bisedë me Liderë të Rinj” përbën një risi në komunitetin shqiptaro-kanadez për vetë rëndësinë që vë mbi arritjet e këtij brezi, duke përuruar kështu “Shoqatën e Studentëve ACE”.

Ky komunitet i përkushtohet zhvillimit profesional dhe akademik të të rinjve shqiptarë, të lindur apo jo, në Kanada. Në veçanti, paneli do të përqëndrohet në katër individë të sapodiplomuar apo drejt përfundimit të universitetit, ku do të diskutohet mbi katër fusha: sipërmarrjen, avokatinë, inxhinierinë dhe financën. Anëtarët e panelit kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e tyre profesionale, duke mos harruar angazhimin në komunitet dhe shoqata të ndryshme vullnetare. Ky event do të jetë një mundësi e shkëlqyer për nxënës të shkollave të mesme që po vendosin mbi të ardhmen e tyre, studentë universiteti që vazhdimisht po kërkojnë për mundësi pune, apo të rinj të sapodiplomuar që kërkojnë eksperienca të reja”.

Panelistja e parë është Kristi Meta, Associate me CPP Investments në Total Fund Management (TFM). Para kësaj ajo ka punuar në BMO si një Analiste në Wealth Management. Ajo është e përfshirë edhe në neWCHapter, një komunitet i ri profesional në mbështetje të Spitalit të Kolegjit të Grave. Ajo ka mbaruar studimet për Biznes në Universitetin e Torontos.
Panelisti i dytë, Foti Vito është diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike në Universitetin e Torontos. Ai është kandidat për doktor të shkencave juridike në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Torontos dhe është i apasionuar pas drejtësisë globale dhe të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Ai është i angazhuar me Grupin Kërkimor G-7 dhe një Anëtar i Udhëheqjes Urbane në Shkollën e Qyteteve të Universitetit të Torontos. Përgjatë studimeve të tij, Foti ka udhëhequr iniciativa kërkimore dhe avokuese me UNHCR Canada, dhe Qendrën Kanadeze për Përgjegjësinë për të Mbrojtur në Mosaic Institute.

Panelistja e radhës, Tea Haxhillari është diplomuar për Biznes dhe Kontabilitet në Queens University në Kingtson, Ontario. Pas përvojës së saj universitare, ajo pati mundësinë të përfundojë një Master të dyfishtë në Menaxhim Global (Ivey Business School & London School of Economics).  Që nga kthimi i saj në Toronto, Tea ka punuar në pasuri të paluajtshme për dy vitet e fundit, ku edhe është vlerësuar me çmimin vjetor “Rookie of the Year” për vitin 2020. Tea ka studiuar në Angli, Singapor dhe Zvicër dhe ka përfunduar praktikën me “Suzlon Group” në Indi dhe “Daimler” në Mbretërinë e Bashkuar. Në komunitetin shqiptar në Toronto Tea njihet si presidente e RH Scholarship, që ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë në Kanada.
Panelisti i katërt, Drini Kërçiku është student i Inxhinierisë dhe i Robotikës në Universitetin e Torontos. Ai punon si praktikant i inxhinierisë së programeve kompjuterike në “Magna International”, ndërsa në kohën e tij të lirë, ai preferon të pikturojë, të stërvitet, të lexojë një libër dhe të punojë me kolegët e tij në ekipin e dizajnit “Blue Sky Solar Racing” në Universitetin e Torontos.
Prej vitesh kjo shoqatë është angazhuar dhe ka dhënë kontribut në shërbimin e komunitetit shqiptaro-kanadez, për institucionalizimin e aktivitetit komunitar, evidentimin dhe promovimin e ekselencës shqiptaro-kanadeze, për përpjekjet për lartësimin e emrit të Atdheut në Kanada dhe forcimin e lidhjeve të gjithanshme. Kjo është nisma më e re dhe më e veçantë e shoqatës, dhe konform premtimit të udhëheqësisë së saj se do të ofrojnë më shumë ngjarje të mentorimit dhe rrjetëzimit  të të rinjve.