Greqi/ Shkolla e Gjuhës Shqipe në Katerini mbyll vitin shkollor

0
48
Shkolla e Gjuhës Shqipe në qytetin e Katerinit në Greqi bëri mbylljen përfundimtare për këtë vit shkollor.
Për të kremtuar mbylljen e një viti të vështirë për shkak të pandemisë mësuesit e shkollës organizuan një festë dy ditore përgjatë fundjavës.
“Një vit sa i vështirë, aq edhe i bukur. I vështirë për kushtet në të cilat u zhvillua mësimi i gjuhës shqipe, por i bukur sepse zogjtë e shqipes e bënë edhe më të bukur këngën e tyre. Ditën e parë fëmijët festuan mbarimin e Abetares. Menduam ta organizojmë pak ndryshe festën. I kënduam çdo shkronje që mësuam ashtu si ne menduam se do ishte më e bukur, më argëtuese në kushtet që ndodheshim. I dhamë formën e një teatri të vogël për fëmijë dhe i kushtuam gjithashtu rëndësi edhe kulturës sonë shqiptare. Të gjitha i realizuam online ashtu siç punuam gjatë gjithë vitit.
Në ditën e dytë festuam mbylljen e vitit shkollor në gjirin e natyrës, duke improvizuar pjesë nga teatri dhe lexime të tjera.
Ndarja e certifikatave për fëmijët të dërguara nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, do të shënonte edhe mbylljen përfundimtare për këtë vit shkollor”, shprehen mësueset e gjuhës shqipe.